Haradinaj në Pejë: Qeverisja anti-shtet i solli Kosovës vetëm humbje

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 20:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të degës së Aleancës në Pejë.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se lrizat e njëpasnjëshme të shkaktuara nga papërgjegjësia e pushtetarëve i kanë sjellur humbje Kosovës.

“Qeverisja anti-shtet ka çuar vendin në rrugë të pashpresë. Krizat e njëpasnjëshme të shkaktuara nga papërgjegjësia e pushtetarëve i kanë sjellur humbje Kosovës, si në aspektin e brendshëm por edhe në politikën e jashtme”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shpërfaqur besim të plotë që nën udhëheqjen e Aleancës, Pejës do t’i kthehet shkëlqimi i dikurshëm, si Lule e Dukagjinit.

“Në Pejë, me rastin e shënimit të 24-vjetorit të themelimit të Degës së AAK-së, shpreha mirënjohjen e thellë ndaj kryetarit Ali Berisha dhe secilit koleg që ishin pjesë e rrugëtimit politik gjatë këtyre viteve, e ku bashkë kaluam nëpër situata jo të lehta, por megjithatë ia dolëm që këtë eksperiencë ta kthejmë në suksese për Pejën e Kosovën. Aleanca në Pejë, në radhët e veta ka njerëz që gërshëtojnë vlera të larta, të dëshmuara si në përpjekjet tona për liri dhe shtetndërtim. Kam besim të plotë që nën udhëheqjen e Aleancës, Pejës do t’i kthejmë shkëlqimin e dikurshëm, si Lule e Dukagjinit”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se bashkimi politik me Nismën dhe partnerët tjerë po vazhdon të fitojë besimin e qytetarëve. 

“Bashkimi ynë politik me Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, po vazhdon të fitojë çdo ditë e më shumë besimin e qytetarëve sepse po shihet si shpresë për t’i dhënë mundësi vendit që t’i kthehet zhvillimit dhe rrugës drejt synimit madhor, anëtarësimit në NATO, krah Amerikës”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme