Kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar në orët e mbrëmjes Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Repartin e Emergjencës.
Ata u pritën nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, dhe nga drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani.
Kryeministri tha se qëllimi i kësaj vizite është të shohë nga afër kushtet në të cilat gjendet QKUK-ja, si dhe për të shprehur përkrahjen e plotë për shëndetësinë kosovare.
“Falënderoj personelin mjekësor në të gjitha nivelet për një punë vërtet heroike dhe që gjithë kohën jeni në presion dhe në vështirësi. Së dyti u them se nuk do t’ju lëmë vetëm, pra dua të jem me ju që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha ai.
Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, tha se me kryeministrin Haradinaj në krye shëndetësia do të jetë prioritet.
“Për hir të së vërtetës deri më tani kemi marrë mbështetje kryesisht me fjalë, por shpresojmë se vërtet shëndetësia do të jetë prioritet i qeverisjes tuaj. Besojmë se do t’ia dalim në krye që të ofrojmë më të mirën e mundshme për pacientët tanë”, tha drejtori Gjocaj.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se kjo vizitë tregon përkushtimin e madh të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë, si mbështetje institucionale direkt për punëtorët shëndetësorë.
“Do të ketë investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër do kërkojmë dhe përmirësime të shërbimeve, në mënyrë që të ketë cilësi sa më të madhe”, tha ministri Ismaili.