Ramush Haradinaj që deri para disa orësh ishte kryeministër e ka uruar krijimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin.
Ai ka uruar që qeveria e re mund t’i çojë përpara proceset e rëndësishme për Kosovën.
Ish-kryeministri ka njoftuar se meqë ai është duke qëndruar në SHBA për vizitë zyrtare dorëzimi i mandatit në mënyrë formale për Albin Kurtin do të bëhet nga zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli.
Postimi i plotë i Ramush Haradinaj në Facebook:
Nga sot, Kosova ka hyrë në një fazë të re me krijimin e institucioneve.
Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë.
Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin.
Në këto ditë, unë po qëndroj për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një agjendë që është caktuar shumë kohë më përpara dhe kësisoj pranim – dorëzimi i mandatit, formalisht do të bëhet nga ana e ZëvendësKryeministrit të parë z. Behgjet Pacolli, të cilën procedurë tashmë e kam autorizuar.
Edhe njëherë shpreh besimin që Qeveria e re, t’i dalë zot temave të rëndësishme për qytetarët tanë.