Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjen e palëkundur të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rruga e vetme për të garantuar që masakrat si ajo e Krushës të mos përsëriten më kurrë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë homazheve në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Haradinaj u shpreh se suksesi i shtetit dhe fuqizimi i institucioneve të sigurisë është “hakmarrja” më e mirë për të kaluarën e dhimbshme.
“Është nder i madh me qenë këtu sot edhe me shpreh respektin edhe me u përul para të gjithë atyre njerëzve tanë që u vranë pafajësisht. Civilë, gra, pleq, fëmijë, të rinj, edhe po ashtu me shpreh shqetësimin tonë pse ende ka të pagjetur edhe pse ende s’ka ndodh drejtësia për këtë masakër në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Selinë, Pastasellë, Fortesë, e gjithkund”, tha ai.
“Besoni është krejt e llogjikshme aq që me shpreh shqetësim pse nuk ndodh drejtësia, njëkohësisht është e drejtë pra me shpreh shqetësim si ka mundësi që ende me u gjyku UÇK-ja. S’ka lidhje cili asht. A e ka emrin Ramush, Afatmer, a dikush tjetër, a e ka Hashim, a Kadri, a Jakup, a Rexhepa, po UÇK-ja, njerëz që kanë luftu me mbrojt veten. Është shumë e pashpjegueshme e gjithë kjo”, tha ai.
“Këto po na ndodhin në të vërtetë, po unë me leje n’nderim të të rënve sot, edhe jo vetëm sot, këto ditë se kanë fillu ma herët, 24, 25, 26 e vazhdon besoj edhe me tjerat, edhe janë në Gjakovë, janë në të gjithë. në t’gjithë Kosovën pra, shumë, qindra masakra. Si të veprojmë ma tutje, si t’i nderojmë këta?”, tha ai.
“A ka diçka që mundemi me bë na, me bë ma me sinqeritet, ma me nder, si popull po flas, si Kosovë? Disa popuj thonë se hakmarrja ma e mirë asht suksesi. Ne duhet me punu shumë që kurrë ma mos me qenë të pambrojtun. Kurrë ma mos me qenë Kosova e pambrojtun. Prandaj duhet, si thotë populli, me i ra gurit e drunit e kurrë kjo tokë mos me qenë e pambrojtun.
Se nëse nuk jemi të mbrojtun, po na përsëritet historia prapë, se na tregojnë gjyshërit, katragjyshërit çka na ka ndodh. Ushtrinë tonë, institucionet e sigurisë tonë duhet t’i forcojmë. Po ashtu, ne nuk bën kurrë me bë hajgare me sigurinë. Është shumë e pashpjegueshme mos me kuptu çka domethënë siguria e me besu që në siguri mundesh me marrë. Nuk mundesh me marrë në siguri për asgjë”, tha ai.
“Nuk po hy ma në detaje po për asgjë s’mundesh me marrë në siguri. Kush merr prej sigurisë për çfarëdo qoftë tjetër ka me u gjyku keq. Na nuk mujmë me u përballë të vetëm me një armik që është jo vetëm sa na, o ashtu ma i madh se na, po që ka edhe miq. Na për siguri, mos me na u përsërit Krusha, e Krushat e tjera, duhet me e mbajt fort me Amerikën. Kush ju thotë ndryshe ta dini që ose ka diçka o ka ju thotë, ose o ka e di po s’e ka për të mirën e këtij populli, e këtij vendi, kurrë s’ka me e pasë. Se e dini vetë qysh jemi kthye njiherë në tokën tonë mos me pasë qenë Amerika dhe NATO-ja. E qysh ishim kthye edhe kur ishim kthye edhe çka kishim gjetë nga ky vend. Unë nuk du me e zgjat”, tha ai.
Sot shënohet 27 vjetori i Masakrës se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat./Ekonomia Online
