Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njohjen nga Serbia e ka quajtur mënyrë të vetme për ruajtjen e marrëdhënieve me ShBA-në, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë edhe njëherë se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet.
“Taksa vazhdon, mbetet, por mënyra me i mbajt marrëdhëniet me Amerikën dhe me i ndreq me Serbinë është njohja. Kjo është mënyra me dalë prej ku jemi. Kërkoj ndihmën e të gjithëve që të rikthehet dialogu, por të mos lidhet me taksën. Nëse ka përkeqësim të marrëdhënieve atëherë të gjithë e kemi një barrë të përgjegjësisë, përfshirë edhe ambasadoren”, është shprehur Haradinaj.
Ai këto komente i bëri gjatë vizitës në komunën e Gjilanit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.
Haziri aty u pyet lidhur me deklaratat për rrëzimin e Qeverisë.
Tha se qëndrimi i tij mbetet i njohur si ka qenë.
“Qëndrimi im është i njohur. Edhe kryeministri edhe kryetari i LDK-së kanë mirëkuptuar qëndrimin tim. Kosova e 17 shkurtit 2008 në kufijtë e saj në raport me dialogun mbetet e paprekshme. Në Kosovë të gjithë jemi për dialog”, tha Haziri, raporton EO.