“Jam thellë i bindur që ju si familjarë sot e për mot do të jeni të vetëdijshëm se jeni meritorë të faktit se ne këtë përkujtim po e mbajmë në kryeqytetin e lirë të Kosovës, një Kosovë që rrugëton drejt integrimeve euroatlantike, Kosovë që nuk kthehet mbrapa por vetëm përpara, dhe atë vetëm falë bijve tuaj, familjarëve tuaj, të gjithë të flijuarve”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij gjatë Akademisë Përkujtimore me rastin e 20- vjetorit të Masakrës në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.
Para shumë të pranishmëve, kryeministri Haradinaj u shpreh i nderuar nga të gjithë për prezencën e tyre sot, një prezencë që siç tha ai, është lehtësi për familjarët e martirëve, e të rënëve për liri, të cilët i kujtojmë sot.
“Me respektin më të madh kemi ardhur në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, vendndodhje ku po pushojnë trupat e pajetë, ku i kemi familjarët dhe e kemi nda momentin e kujtimit së bashku meqenëse është 20 vjetori, dhe një moment i këtillë i rrugëtimit tonë, si vend e kemi vlerësuar që të takohemi sot në kryeqytet në Prishtinë dhe vërtetë ajo që njihet si masakër e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit, pra të vlerësohet ajo dhimbje e madhe, sakrificë e madhe që na është shkaktuar atëherë dhe të respektohet nga niveli më i lartë i institucioneve të vendit dhe të gjithë ata që janë prezent sot”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke kujtuar të rënët për liri, kryeministri Haradinaj, shtoi se gjithë kohën është ndjerë në borxh ndaj familjarëve të martirëve që shteti nuk ua ka bërë një varr, por atë zakonisht e kanë bërë familjarët apo komuniteti.
“Kjo është për marre, sepse këta njerëz, kanë rënë për këtë tokë. Pastaj nuk i kemi respektuar as edhe me ligj. Unë mendoj se kjo që po bën sot Kosova dhe Qeveria, ligjin për martirët, për të pagjeturit, është vendosje e një drejtësie të vonuar. Po ashtu neve na duhet që me ligj ta mbrojmë flijimin e tyre dhe inicimi i një ligji për ta dënuar dhe shpall të fajshëm atë që i mohon krimet në Kosovë është obligim i yni”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nuk duhet ta lejojmë askënd të na ofendojnë të rënët për këtë liri.
Kryeministri Haradinaj deklaroi se ka ardhur koha që Kosova me të vërtetë t’i mbrojë me ligj familjet e të rënëve për liri ashtu siç kanë vepruar për kategori të tjera dhe se Kosova duhet të tregoj vetëbesim, t’i dalë zot sakrificës së vetë që të mos ndodhin më përsëritje.
Nga një fjalë para të pranishmëve, mbajtën edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Nexhat Daci.
Me një kumtesë rreth masakrës u paraqit, Ali Gashi, ndërsa në emër të familjeve të të rënëve të pranishmit i përshëndeti, Naser Rama.