Haradinaj: Nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas, mos të komplikohet procesi

Prishtinë | 13 Gus 2024 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se edhe vitin e kaluar kanë dështuar njësoj me tekstet shkollore. 

“Pushteti në vend që t’i sigurojë tekstet falas, i maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme. Modelin e ndarjes së parave për tekste shkollore e kishin provuar vitin e shkuar dhe kishin dalë të dështuar. Pse e përsërisin dështimin prapë?”, është shprehur Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se qeveria do të duhej t’ia rriste pagat mësimdhënësve e jo të merren me veprime populiste. 

“Në vend që ta rrisin cilësinë në arsim e të mos mbetemi në fund të listës së PISA-s, këta sajojnë armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave. Në vend që t’i rrisin pagat e mësimdhënësve, merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale. Por, ato po grumbullohen përditë dhe po bëhen të papërballueshme. 

Prandaj, numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant”, ka shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, librat duhet të sigurohen falas e jo të komplikohen me procedura.

“Nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas!”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme