Haradinaj paralajmëron krizë energjetike: Situata është alarmante, duhen veprime të menjëhershme

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se situata me energji elektrike është alarmante, ku sipas tij shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura në këto ditë dimri.

Haradinaj thekson se duhet vepruar menjëherë për të investuar në kapacitete të reja energjetike, përfshirë termocentralet me thëngjill dhe gaz, për të garantuar energji të mjaftueshme dhe fatura të qëndrueshme.

Ai e konsideron sigurinë energjetike si një prioritet kombëtar.

“Rezultatet që dolën nga zgjedhjet që sapo i kaluam, kam shqetësimin se nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë. Gjendja e rënduar me energji është alarmante. Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe dihet që shumica e qytetarëve të Kosovës ngrohjen e kanë përmes energjisë. Po ashtu, në këtë periudhë ka edhe shumë vëllezër e motra nga diaspora që po i kalojnë pushimet në atdhe.Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje. Siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Të ngjashme