Haradinaj për letrën e Kurtit për Abdixhikun: Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve

Prishtinë | 05 Maj 2025 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti “do ta jepte një shenjë të mirë” sikur ta gjente një kandidat për kryetar të Kuvendit, të cilin do të mund ta votonte LDK-ja, PDK-ja, apo partia e tij, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë, është një kandidat unifikues.

“Si fillim Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka ndërmend që të ecë përpara, duke gjetur një kandidat që LDK-ja mund ta votojë, PDK-ja ose ne”, tha Haradinaj

Ai komentoi letrën që Kurti ia dërgoi sot kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke i kërkuar koalicion.

Haradinaj tha se kjo “është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë”.

“Është situatë e rëndë në Kosovë, po i harrojmë temat e tjera, rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Kanë me pas zor me i mbajt punëtorët, jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta”, tha Haradinaj.

Të ngjashme