Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur para përmendores që është afër Kuvendit të Kosovës, janë vendosur lule në nder të 1695 të të zhdukurve.
Lule ka vendosur edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu dhe ministrin në detyrë të Diasporës, Valon Murati.
I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, tha se do të angazhohet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Duhet të jemi bashkë dhe të përballemi me të vërtetën dhe duhet kjo temë të diskutohet. Nuk guxojmë me lënë si temë e të pagjeturve, por duhet të zgjidhet si temë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa është shprehur se edhe zvarritja e themelimit të institucioneve të vendit po lë mangut edhe këtë temë, ashtu sikur temat e tjera.
Nga ana tjetër, Prenk Gjetaj, kryetar i Shoqatës së të Pagjeturve tha se me mesazhet e balonave simbolizohen vitet që prej zhdukjes së tyre.
“Prandaj do të hedhim 18 balona në ajër, për 18 vite pas lufte qe nuk jane gjetë”, është shprehur Gjetaj.
Pas vendosjes së luleve, familjarët e të zhdukurve bën një marsh të shkurtër në sheshin “Skënderbeu”.