Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se situata në Kosovë është më e rënda në 22 vjetët e fundit.
Sipas tij, situatat e jashtëzakonshme kërkojnë vendime të jashtëzakonshme, derisa shtoi se presidentja dhe kryeministri nuk vepruan konform situatës.
Haradinaj si ftues i interpelancës me kryeministrin Albin Kurti për “Masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”, tha se Serbia me aleatët e vet ka krijuar destabilizim në Kosovë.
“Serbia me aleatët e vet ka krijuar destabilizimit në Kosovë duke i urdhëruar serbët në institucione që t’i braktisin ato, mirëpo për fat të keq edhe veprimet e institucioneve të Kosovës nuk kanë qenë në përputhje me situatën”, tha Haradinaj.
Ai tha se kryeministri Albin Kurti në vend se të përfillte kërkesën e SHBA-së për targat, i dha mundësi Serbisë që edhe të krijoj destabilizim edhe të luaj rolin e viktimës.
“Fatkeqësisht as presidentja e vendit nuk ka vepruar konform situatës duke vepruar sikur në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Kanë filluar të kërkojnë fajtorë brenda nesh. Situatat e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme”, tha ai.
Haradinaj paraqiti një rezolutë për të dalë nga kjo gjendje të cilën i ftoi deputetët që ta votojnë:
1. Qeveria të marrë vendim për shtyrje vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
2. Institucionet e Kosovës të fillojnë dialogun me serbë për t’u kthyer në institucione.
3. Qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevant në vend duke përfshirë edhe opozitën.
4. Kërkohet një samit në SHBA disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.