Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pyeti kreun e Qeverisë, Albin Kurti për projektin e gazsjellësit amerikan në Kosovë.
Ai në seancën e Kuvendit kërkoi të dijë nëse me këto vonesa rrezikon Kosova t’i humb fondin prej 200 milionë dollarësh, raporton Ekonomia Online.
“Një pyetje e kam për kryeministrin Kurti, e që ka të bëjë me projektin AMCC për tubacionin e gazsjellësit, që do ta sjell gazin amerikan”.
“Pra siç po flitet ju po i humbim afatet buxhetore, pra a i rrezikojmë këto 200 milionë dollarë. A jemi në përputhje me afatet e parapara me kohë”, pyeti Haradinaj.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, tha se vendime të tilla nuk mundet të merren shpejt e shpejt, raporton EO.
Kurti ka dhënë detaje për diskutimet rreth ndërtimit të infrastrukturës në Kosovë për gazin amerikan, i cili parashihet të vie nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut.
Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se për vendime të tilla që definojnë sektorin e energjisë për gjeneratat e ardhshme duhet kujdes dhe analizë të të gjitha rrethanave. Sipas tij, janë mbajtur rreth 10 takime dhe punëtori me MCC-në amerikane për të parë modalitetet për implementimin e të njëjtit
“Në mbi 10 dhjetë takime dhe punëtori të mbajtura gjatë kësaj periudhë me MCC kemi diskutuar në detaje për dizajnimin e projektet përmes të cilit do të përkrahje pjesërisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit, por edhe për opsione të tjera siç janë investimi në kapacitetet e shpërndarjes dhe akumuluese në zhvillim të shkathtësive. Në gjitha këto takime ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar analizën preliminare të investimit. Në veçanti se cila do të ishte kosto totale, çfarë pjesë do të ishte garant dhe sa duhet të marrim kredi si shtet. Kush do të operonte dhe ndërtonte Termocentralin, çfarë kushte dhe çfarë implikime do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi dhe tarifat që do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme, prandaj ne jemi të përkushtuar t’i marrim të gjitha të dhënat që të marrim vendime të duhura…Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptojë se është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha”, tha ai.
Kreu qeveritar tha se nuk ka asnjë vonesë lidhur me këtë çështje dhe se nuk rrezikohet asnjë fond, derisa shtoi se raportimet për gazin rus përmes Serbisë janë të pavërteta.
“Kur po flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunim me MCC-në, nuk jemi duke folur thjesht për gaz amerikan, por thjesht për ndërtim të infrastrukturës. Nëse do të ndërtonim një termocentral me gaz operatorët do të blinte në treg të ri gazin. Mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Të gjithë këta faktorë të shumtë po i marrim parasysh. Po ashtu duhet theksuar se kjo s’ka të bëjë me kërkesë të akterëve amerikan, MCC është organizatë amerikane e cila është duke përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, ne jemi duke falënderuar për këtë gjë dhe jemi mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm… Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit përmes Serbisë aty nuk ka asgjë të vërtet. Ndërsa fondet që do të jenë nuk do të rrezikohen. Nuk do të rrezikojmë asgjë, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendim pa analiza dhe studim të mirëfilltë paraprak”, shtoi Kurti.