Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë të fundit për këtë vit.
Kështu ka bërë të ditur kreu i saj, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Zhvilluam mbledhjen e fundit të Kryesisë së Aleancës për vitin 2023 dhe takime të ndara pune me Aleancën e Gruas dhe Aleancën e të Rinjve. Bashkëbiseduam për zhvillimet politike dhe angazhimet në Aleancë. Nga Aleanca e Gruas dhe të rinjtë e Aleancës u njoftuam me rezultatet e arritura këtë vit, si në aktivitetet politike por ashtu edhe në planin e brendshëm organizativ”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Aleanca ka qenë konsistente në qëndrimet e veta politike.
“Ky vit nuk ishte aspak i lehtë sa i përket angazhimeve politike në vend, megjithatë si Aleancë rezulton që gjatë këtij viti kemi një momentum tejet pozitiv në të gjitha nivelet. Aleanca ka qenë konsistente në qëndrimet e veta politike, ku shumica e këtyre qëndrimeve kanë rezultuar të jenë largpamëse dhe të drejta”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Haradinajt, në komunat ku qeverisë AAK-ja, janë shembull i qeverisjes.
“Në Kuvendin e Kosovës kemi dëshmur një angazhim proaktiv në shumë tema, përfshirë edhe jashtë seancave plenare. Nëpër komuna, aty ku qeverisë Aleanca, jemi shembull i qeverisjes. Performancë e lartë qëndron edhe aty ku bashkëqeverisim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Aleanca në diasporë ma një zhvillim të hovshëm.
“Jemi në konsolidim të Aleances së Gruas, e po ashtu Aleanca e të Rinjve po tregon rezultate e angazhim të shtuar. Shohim një zhvillim të hovshëm në diasporë, një gjallëri e angazhim që Aleancën e kanë shndërruar në adresë për secilin bashkatdhetar”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se duhet të ndalet qeveria e cila është humbëse si në rrafshin e jashtë ashtu dhe në atë të brendshëm.
“Në vitin që po vjen na presin shumë punë, pasi që po shihet që do të jetë një vit me plot sfida për shtetin. Është detyrë e jona ta ndalim këtë qeveri humbëse, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Si Aleancë nuk do të hezitojmë t’i ndihmojmë proceset e brendshme për të ardhur deri te ndryshimi i domosdoshëm”, ka përfunduar Haradinaj.