Haradinaj: Qeveria do t’ia kthejë integritetin sistemit të shëndetësisë

Prishtinë | 01 Shk 2018 | 09:17 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka pritur në takim pune përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe të komunitetit të mjekëve.

Mediet janë lejuar të marrin pamje gjatë takimit. Për atë se çka u diskutua në takim u tha se mediet do të njoftohen në mbledhjen e Qeverisë në orën 12, raporton Ekonomia Online.

Më pas zyra për Informim e kryeministrisë ka lëshuar  një komunikatë ku ka njoftuar për atë se çka u diskutua.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk është në interes të Qeverisë ikja nga obligimet që ka ndaj punonjësve shëndetësorë, qoftë për paga të dinjitetshme për mjekët dhe të gjithë sektorët, qoftë në buxhet, apo në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme.

“Jemi të interesuar për rolin tonë në sektorin e shëndetësisë, cila është pjesa jonë, cilat janë detyrat tona dhe si mund të jemi në funksion të përmirësimit të gjendjes në shëndetësi”, tha kryeministri, duke i vlerësuar mjekët dhe personelin shëndetësor heronj të Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmendi zotimet për shtimin e investimeve në infrastrukturë, shtim të resurseve dhe pagave si dhe sistemin e ri të blerjes së barnave.

U.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, tregoi hapat konkret që janë ndërmarrë për ofrimin e shërbimeve 24 orë në disa sektorë, përfshirë edhe Institutin Onkologjik, zvogëlimin e listës së pritjeve për barna, koordinimin e spitaleve regjionale, programet për trajnimin e stafit të infermierisë dhe mjekëve.

Në këtë takim që ishte i pari i kësaj nisme mobilizuese u përmend nevoja  për hartimin e një rregulloreje që do të rregullonte mënyrën e trajtimit të pacientëve në disa nga spitalet rajonale e disa në QKUK, koordinimi i shërbimeve emergjente në nivel vendi, kategorizimi i pagave dhe nevoja e një menaxhimi më të mirë të buxhetit shëndetësorë.

 

Të ngjashme