Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se zotimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove, nuk e zgjidh problemin e qytetarëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, Haradinaj ka thënë se kjo shumë është shumë e vogël krahasuar me dështimin për rritjen e ekonomisë dhe mosmiratimin e Ligjit të Pagave.
“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fshehë dështimin e tij mungesën e rritjes ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”.
Krahas kërkesës për rritje të pagave, Haradinaj ka kërkuar që të largohet TVSH-ja për artikujt ushqimorë dhe largimin e taksës për pagën nën 370 euro.
“Qeveria duhet pa vonesë ta zbresë TVSH-në për artikujt ushqimorë, si dhe ta heqë taksën për pagën nën 370 euro”.
Haradinaj, po ashtu, kërkoi që sa më shpejt të kalojë Ligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, të paktën 15 për qind.
“Dhe menjëherë duhet me ua kthy paratë e qytetarëve për faturat e fryra të energjisë”.
“Qeveria e Kosovës po vepron në sistemin lëmoshë. Kërkesa jonë është ligji i pagave, rritja e pagave 33% dhe po ashtu rritja e pagës minimale neto 370 euro”, tha Haradinaj, raporton EO.
“Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”.