Haradinaj raporton në Komisionin Hetimor për rastin e “gylenistëve”, Thaçi në ShBA

Prishtinë | 30 Nën 2018 | 11:05 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka filluar raportimin në Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ngjarje e cila ndodhi në mars të këtij viti.

Haradinaj është kryeministri i parë i Kosovës që merr pjesë në një proces hetimor parlamentar për të ndriçuar ndonjë rast ku kërkohet dëshmia edhe e liderëve institucionalë.

I ftuar në raportim ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në një vizitë në ShBA, raporton Ekonomia Online.

Komisioni Hetimor Parlamentar e ka hequr për sot si pikë të rendit të ditës, intervistimin e Thaçit.

Mbledhja ka vazhduar me praninë e medieve, me arsyetimin e kryeministrit se nuk do të prezantojnë ndonjë material të ndjeshëm që mos të lejohen mediet.

Në lidhje me rastin e deportimit të shtetasve turq sot pritet të intervistohet edhe sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi.

Komisioni dështoi të hënën ta mbajë këtë mbledhje, meqë as Thaçi e as Haradinaj nuk i ishin përgjigjur ftesës. Ky i pari e arsyetoi mungesën me vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Haradinaj me agjendën e ngjeshur për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës me atë të Shqipërisë. Mos prezenca e tyre, krijoi edhe përplasje pozitë-opozitë.

Ky komision ka nisur punën në korrik të këtij viti dhe janë të mandatuar që të kryejnë punë deri në mes të dhjetorit për të ndriçuar rastin e dëbimit të shtetasve turq.

Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gylen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.

Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke. Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/2183709988623056/

Të ngjashme