Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka reaguar pas lajmit për marrëveshjen në mes të partive që dolën të parat në zgjedhjet e tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor. Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj tha se për proceset e rëndësishme që e presin Kosovën kërkohet lidership. Dhe ai qëndron i bindur se kjo është shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh të Albin Kurtit si kryeministër.
“Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme. Qëndroj i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është vetëm shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Albin Kurti si Kryeministër”, shkruan Haradinaj.
Më herët, është raportuar se është hapur rruga për marrëveshje mes VV’së dhe LDK’së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.
Po ashtu është raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.