Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e barrierave ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se mashtrimi i Qeverisë Kurti po vazhdon.“Mashtrimi vazhdon.
Shet leksione patriotizmi në negociata, e në anën tjetër e heq çdo barrierë që mbron prodhuesit vendor nga prodhimet serbe”, ka shkruar Haradinaj.Ai ka thënë se përveç që nuk është vendosur reciprociteti, kjo qeveri i shfuqizon edhe masat mbrojtëse antidamping.
“Përpos se nuk aplikon reciprocitetin e premtuar, shfuqizon edhe masat mbrojtëse antidamping për bllokat e Serbisë, përmes të cilëve shteti i Serbisë i ka financuar prodhuesit e saj me qëllim të dëmtimit të prodhuesve vendor të Kosovës”, është shprehur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kujtojmë se në Qeverinë Haradinaj ishte vendosur taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovica dhe bashkë me taksën edhe masa e reciprocitetit. Mbajmë mend që përgjatë kohës sa në fuqi ishte taksa, prodhuesit vendor kishin rritë kapacitetet e tyre prodhuese, ndërsa ishte rritur numri i të punësuarave dhe cilësia e prodhimit.