Haradinaj: Sakrifica e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar ngjarje të rëndësishme që na kanë sjellë lirinë e Atdheut.

Haradinaj kujtoi 29 marsin e vitit 1999, përkatësisht martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës.

Ngjarje tjetër e rëndësishme në këtë kohë ishte rënia heroike e katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje me armikun në Shishman të Bokës.

“29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, martirizimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët dhe vazhdojnë të mbesin plagë që kullon në shpirtin tonë.

Kujtojmë po ashtu rënien heroike të katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Zona e Dukagjinit, Pashtrikut e Drenicës, në përballje heroike me armikun në Shishman të Bokës.

Sakrifica e tyre dhe e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Lirisë na jep motivim për ta dashur dhe mbrojtur Atdheun tonë dhe të vazhdojmë angazhimin si shoqëri dhe shtet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta.

Lavdi e përjetshme të rënëve për liri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Të ngjashme