Kryeministri, Ramush Haradinaj, në interpelancën për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 1 milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës, tha se këtë vendim e kanë marrë në kohë krize.
Sipas tij, marrëveshja për energji nuk është implmetuar nga pala serbe dhe kjo ka shkaktuar probleme, raporton Ekonomia Online.
Madje ai garantoi deputetët se qytetarët e pjesë tjetër të vendin nuk do të paguajnë deri në pakufi për rrymën e shpenzuar në veri.
Për këtë çështje ai ka kërkuar edhe përkrahjen e Brukselit si ndërmjetësues i dialogut, Kosovë –Serbi që nga vitit 2012.
“Konstatimet për rrjedhën e tregut energjetik në veri janë të sakta, nuk janë të 8 muajve të fundit po të 18 viteve të fundit. Problemi është shfaq se KOSTT-i ka tërheq rrymë në procedura jo të duhura. Marrëveshja për energji nuk është implementuar nga pala serbe”.
“Kosova nuk ka kthim mbrapa veç me gjet daljen nga kjo gjendje, dalja mund të merr 3 apo 4 muaj, por nuk mund të kthehemi në gjendjen e mëparshme. Nuk mund të tolerojmë në pakufi pagesën prej buxhetit publik. Kemi ndarë 1 milion euro taksa të qytetarëve për me mbërri deri të koha kur zgjidhet kjo çështje, e jo të kthehemi mbrapa”.
“Kjo gjendje në veri nuk mund të vazhdojë pa kufi, institucionet e Kosovës duhet të shkojnë të vendosin rregull, ose duhet me u mbërri një dakordim nëpërmjet ndërmjetësimit që është Brukseli. Ndarja e 1 milionëve nuk është veprim që nuk kemi ditë pse nuk po e bëjmë, por veprim i marrë në kohë krize, me vetëdije i marrë”.
Kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga deputetët që të jenë njëzëri sa i përket përmbylljes së dialogut me Serbinë.
Ai ka përmendur edhe platformën që Qeveria ka sjellë në Kuvend sa i përket këtij procesi, raporton EO.
Kryeminsitri Haradinaj potencoi se nuk do që të servisojë marrëveshje të nënshkruara nga dikush tjetër.
”Nuk vazhdoj dialogun sepse nuk dua të servisojë marrëveshje të një dialogu që ka nisur më herët. Nuk dua të servisojë marrëveshje të nënshkruara nga dikush tjetër”.
“Platformën që e kam sjell këtu nuk është që ja jep pronësinë e dialogut presidentit, au kam sjell platformën si Qeveri që ta keni të gjithë. Ftesa jem është që të gjithë të ulemi në tavolinë të dimë se nëpër çka po kalon Kosova në momente që janë finale për vendin dhe brezat e tjerë”.
Mimoza Kusari-Lila, nga LDK-ja si thirrëse e interpelancës, tha se Kosova humbi kontrollin e saj të plotë mbi astetet e saj të energjisë nga qershori i vitit 1999.
Sipas saj, humbjet në vitin 2017 nga transmisioni i Serbisë shkaktuar Kosovës janë 9,7 milionë euro.
“Kosova humbi kontrollin e saj të plotë mbi astete e saj të energjisë nga qershori ‘99. Sot edhe pse Kosova është territor administrativ, KOSTT, KEDS, KEK nuk kanë qasje në asetet e veta në veri të vendit. Në Bruksel janë nënshkruar konkluzione për energjinë në Bruksel më 2015. Në vitin 2017 Avokati i Popullit filloi betejën ligjore për pagesat e humbjeve politike për konsumatorët e pjesës veriore të Mitrovicës.
“KOSTT duhet të mbulojë shpenzimet në veri, pa e ditur se kush do të mbulojë humbjet. Më 1 dhjetor KOSTT informon kryeministrin, presidentin, kryekuvendarin, ministrin e MZHE-së, MF-së për shpenzimet në 8,5 milionë euro brenda dimrit. Humbjet në vitin 2017 nga transmisioni i Serbisë shkaktuar Kosovës janë 9,7 milionë euro”.
Ajo prezantoi edhe rezolutën e për këtë çështje:
-Të obligojë Qeverinë të vijë në zgjidhje me situatën e krijuar, planin për të kthyer humbjet që i janë shkaktuar KOSTT-it për furnizimin me energji elektrike të veriut;
-Të ndalë inkasimet ilegale që dikush i bën për rrymën në veri;
-Të vazhdohet dialogu me Beogradin për tu implementuar marrëveshja e energjisë.