Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të elektoratit në rreth 34 për qind, bazuar në përllogaritjet që ka realizuar AAK-ja.
Duke u bazuar në matjet e elektoratit publik, të cilat tha se i ka parë, Haradinaj deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka rreth 34 deri në 36 për qind të elektoratit.
Ndërkaq, Haradinaj tha se partia të cilën ai e drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shënuar rritje të mbështetjes.
“Ne kemi informata për një rritje të Aleancës në rreth 14 për qind. Mendoj se ka ardhur si shkak i opozitës tonë. Mendoj se ne kemi pasur qartësi në opozitëbërje, atë që e kemi besuar, atë e kemi thënë pa kalkulime. Ne besojmë se jemi në 14 për qind, që të jemi të sinqertë; janë të dhëna të llogaritjeve që ne i bëjmë”, tha ai.
“Besoj që Aleanca do ta vazhdojë këtë nivel të rritjes. E pashë rezultatin e Vetëvendosjes, por besoj qe është më ulët përqindja e LVV-së. Kam besuar se LVV-ja do të jetë më ulët, sepse sipas atyre që ne dëgjojmë ajo është rreth 34-36 për qind”, vijoi Haradinaj.
Por, sipas një sondazhi të publikuar nga organizata “Pipos” e Fisnik Halimit më 7 korrik të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosje radhitet partia e parë me 38 për qind të votave.
Partia e dytë, që ka 13.07% diferencë nga e para, është radhitur LDK-ja me 25.12% e cila pasohet nga PDK-ja me 21.35%.
AAK-ja është e katërta me 11.97%, sipas sondazhit të “Pipos”.