Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e ka pranuar se nuk ka vende të mjaftueshme pune në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se edhe me Bankën Botërore janë disa sfida.
“Me Bankën Botërore i kemi disa sfida. Nuk kam shtruar veten as juve me statistika. As sa ka vende pune nuk mjaftojnë. Jemi keq me vende pune. Qëllimi është me pru investime, po bëjmë punë në këtë drejtim por nuk jemi ku duhet”, pohoi Haradinaj.
Këto komente, Haradinaj i bëri në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Haradinaj u përgjigj edhe për të punësuarit e kazinove dhe lojërave të fatit të cilët pas mbylljeve të tyre do të jenë të papunë.
“Jemi të vetëdijshëm që këto lokale rezultojnë edhe me humbje të vendeve të punës. Presioni i madh qytetarëve kanë rezultuar me mbyllje të tyre. Do kërkoj prej MPMS-ë me pa mundësinë me hapë një program. Ende s’kemi ndërmarrë diçka konkrete”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit shtoi se vendi ka nevojë për fondet e IPA-s, sipas tij, Kosova është vend me shumë sfida dhe ka nevojë për këto fonde.
“Ne jemi vend që kemi sfida të shumta. P. Sh. Serbia po blen armë në masë. Ato armë janë për qëllime të luftërave dhe bëjnë bukur shumë pare. Kjo i bie që Serbia po i merr paret e tatimpaguesve. BE-ja nuk po ankohet dhe prapë po jep IPA fonde. Ne në Kosovë jemi vend që kemi dalë prej zhvillimeve të rënda. Kosova ka nevojë më shumë se secili vend i Ballkanit për fondet IPA sepse ka dalë e shkatërrume prej luftës. Ne kemi dalë me qindra mijëra objekte të shkatërruara dhe është normale që Kosova ish dashtë me u trajtuar ndryshe me fonde”, shtoi Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se vendimi për ekipin negociator do të përkrahet në Qeveri. Ai komentoi edhe deklaratat e bashkëpartiakut të tij, deputetit Shkumbin Demalijaj, rreth punësimeve.
Sipas Haradinajt, Demalijaj nuk e ka menduar ashtu.