Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se nuk bëhet fjalë për luftë në mes Kosovës dhe Malit të Zi, për çështjen e vijës kufitare në mes këtyre dy shteteve.
Haradinaj duke folur në RTV Dukagjin, ka thënë se nuk ka nevojë për luftë, duke shtuar se të fundit janë aktet e dhunës.
“Unë mendoj që nuk bahet fjalë për ndonjë luftim, s’kemi nevojë me ba luftë me askënd, dhe nuk kemi nevojë përderisa e kemi në tavolinë ende çështjen. E fundit që duhet të mendojmë janë aktet e dhunës, pse duhet ta marrin qytetarët në dorë çështjen e sigurisë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se demarkacioni duhet të hedhet poshtë sa më shpejt sepse pala kosovare ka qindra argumente se Kosova po fal territor.
“Gazi ka qenë një mjet i domosdoshëm se këto marrëveshje janë të këqija, dhe është arritur sensibilizimi. Unë mendoj se demarkacioni duhet të hidhet poshtë sa më shpejt sepse kemi qindra prova se Kosova po humb territor”, ka thënë ai.
Luftën me Malin e Zi, nëse ratifikohet marrëveshja e demarkacionit, ka paralajmëruar në disa raste deputeti i VV-së, Albin Kurti, por është kundërshtuar fuqishëm.