Kosova dhe populli i saj kanë gëzuar gjithmonë mbështetjen e Kanadasë në të gjitha proceset tona të rëndësishme, i tha Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, homologut të saj kanadez, Ministrit të Jashtëm François-Phillipe Champagne.
“Në një telefonatë shumë miqësore me Ministrin e Jashtëm të Kanadasë,z. Champagne, theksova rëndësinë e lartë që Kosova i kushton lidhjes Trans-Atlantike, duke shprehur mirënjohjen e lartë të Kosovës për miqësinë me Kanadanë”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.
Gjatë kësaj bisede u diskutua momentumi i rëndësishëm i krijuar në rajon me Marrëveshjen e Zotimeve për Normalizim Ekonomik, aspirata e Kosovës për integrim të plotë në strukturat Euro-Atlantike, si dhe situata me pandeminë COVID-19.
Ministri kanadez Champagne nga ana e tij i konfirmoi homologes Haradinaj-Stublla miqësinë e qëndrueshme të Kanadasë, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen edhe më substanciale për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.