Haradinaj-Stublla i kërkon Britanisë të iniciojë dialogun për të integruar Kosovën në NATO

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, në një takim me Përfaqësuesen e Përhershme të Mbretërisë së Bashkuar në NATO, Sarah Macintosh, ka kërkuar që Britania e Madhe të iniciojë dialogun politik për të siguruar integrimin e Kosovës në NATO.

Sipas një njoftimi nga takimi i zhvilluar në Bruksel, aty u diskutua për rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s në Kosovë, nga çlirimi e deri te sigurimi i paqes dhe stabilitetit.

“Në këtë takim të përzemërt, u diskutua për rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s në Kosovë, nga misioni i çlirimit, rindërtimit, pavarësisë, dhe tani kur edhe Forca e Sigurisë dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës janë rreshtuar krahas aleatëve si kontribues të sigurisë, paqes, dhe stabilitetit në Kosovë e rajon”, thuhet në njoftim. “Ministrja Haradinaj-Stublla e njoftoi Ambasadoren MacIntosh edhe për përpjekjet, tani të intensifikuara të Republikës së Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, duke kërkuar inicimin e dialogut politik, që në përputhje me obligimet dhe përgjegjësitë do të siguronte integrimin e Kosovës në NATO”.

Të ngjashme