Haradinaj-Stublla: Ka kohë që Borrelli e Lajçaku anojnë kah Serbia

Prishtinë | 14 Sht 2023 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, ka komentuar zhvillimet e sotme në Bruksel, ku tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Borrelli e Lajçaku tash e sa kohë dukshëm anon kah Serbia, duke toleruar shkeljet e saje duke e kushtëzuar Kosovën pafundësisht.

Haradinaj – Stublla kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të ftojë urgjentisht një tryezë uniteti me të gjitha partitë politike parlamentare dhe bashkërisht të bëjnë një rishikim strategjik të pozicionit të Kosovës në dialog.

“Kryeministria pastaj – të bëjë publik dhe të përfaqësojë qëndrimin e dakorduar të unitetit politik. Vetëm kështu ndihmohet Kosova nga vorbulli i rrezikshëm ku gjindet sot”.

“I ashtuquajturi ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe’ i nënshkruar më 2013/2015 – pakëson dhe dobëson sovranitetin e Kosovës, dhe forcon Serbinë zyrtare në Kosovë për të mbajtur pastaj përjetësisht peng shtetin dhe qytetarët serb të Kosovës”, shkroi Haradinaj – Stublla.

Tutje, ajo tha se si i tillë, Asociacioni do tëduhej të refuzohet nga të gjithë, përfshirë partitë që e kanë nënshkruar.

“Dialogu ka kuptim vetëm kur udhëhiqet nga një ndërmjetësues që nuk e injoron të vërtetën”, tha ajo.

Të ngjashme