Ministrja Haradinaj-Stublla kërkon rolin aktiv të Kancelares Merkel në përmbylljen e procesit të dialogut me Serbinë për njohje reciproke dhe formalizimin e të drejtës për lëvizje të lirë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën ka zhvilluar takimin e parë në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Gjermani.
Ministrja Haradinaj-Stublla, në Bërlin
është pritur në takim nga znj.Christina Beinhoff, Zëvendës Shefe e Parë për
Punë të Jashtme dhe Siguri në Zyren e Kancelares Gjermane Angela Merkel.
“Kishim diskutime të thella rreth dy temave strategjike
për Kosovën: liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë, duke kërkuar edhe
njëherë rolin aktiv të Kancelares Merkel për t’i dhënë drejtimin e domosdoshëm
strategjik epilogut të tyre”, bëri të ditur
kryediplomatja Haradinaj-Stublla.
“E
drejta e fituar e Kosovës për lëvizje të lirë duhet të formalizohet sa më parë,
dhe dialogu me Serbinë nuk ka epilog tjetër pos njohjes reciproke në kufijtë
ekzistues, dhe sipas rendit aktual Kushtetues, si parime të panegociueshme”.
Shefja e diplomacisë kosovare,
e cila në Berlin po qëndron me ftesë të homologut Heiko Maas, në emër të
Republikës së Kosovës ka falënderuar Gjermaninë që vazhdon të jetë aleatja më e
fuqishme e Kosovës në Evropë.