Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, ka uruar popullin e Shtetit të Katarit me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare.
Në urimin drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit, Shejh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, Ministrja Haradinaj – Stublla ka falënderuar homologun e saj për mbështetjen e shteti i tij dhënë Kosovës.
“Jam e bindur se lidhjet e miqësisë që ekzistojnë midis Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit, do të vazhdojnë të forcohen dhe zhvillohen edhe më shumë, në të mirë të popujve tanë”, thuhet në urimin e shefes së diplomacisë kosovare.
Duke uruar paqe, shëndet dhe prosperitet të vazhdueshëm për popullin mik të Shtetit të Katarit, Ministrja Haradinaj-Stublla është shprehur se gjatë mandatit të saj do të përkushtohet për të zgjeruar tutje bashkëpunimin dhe marrëdhëniet bilaterale midis të dyja shteteve, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Shteti i Katarit e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 7 janar të vitit 2011, dhe po të njëjtën ditë janë vendosur edhe marrëdhëniet diplomatike midis të dyja vendeve.