Haradinaj takon ambasadorin Hargreaves: Miqësia mes vendeve tona është e përjetshme

Prishtinë | 02 Sht 2024 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku u diskutuan çështje të rëndësishme politike dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë takimit, Haradinaj shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Ambasadorin Hargreaves e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës,” tha ikreu i AAK-së.

Diskutimet u fokusuan në situatën aktuale politike në vend, me Haradinajn që informoi ambasadorin britanik për angazhimet e fundit të partisë së tij.

“Gjatë takimit zhvilluam diskutim përmbajtësor për aktualitetet politike në vend, si dhe e njoftova për angazhimin e Aleancës në këtë periudhë,” shtoi kreu i AAK-së.

Takimi nënvizoi marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me Haradinajn që theksoi natyrën e qëndrueshme të këtyre lidhjeve.

“Miqësia mes popujve dhe vendeve tona është e përjetshme!” përfundoi ai.

Të ngjashme