Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar familjarët e të dënuarve në “Rastin Kumanova”.
Haradinaj ka dalë para familjarëve dhe protestuesve të tjerë në sheshin “Skënderbeu” dhe iu ka thënë se do të kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka dalë në shesh te protestuesit dhe ka diskutuar me familjarët e të dënuarve në rastin Kumanova.
Fillimi i komunikimit me ta nuk ka qenë edhe i qetë, pasi disa protestues filluan të brohoritnin “hiqe policinë…”. Këtu ka ardhur në shprehje temperamenti i kryeministrit Haradinaj, i cili ka thirrur “hej ti që po pisket atje, mshele. Nëse doni të bisedoni, për atë jam këtu, mundem edhe të kthehem në zyrë”.
Më pas Haradinaj ka folur me disa nga familjarët të cilëve u ka kërkuar që të jenë të kujdeshëm me veprimet e tyre, sepse siç ka thënë mund të bëni edhe gabime pasi “djemtë nuk janë këtu, por janë atje mshelun”.
Ai iu ka dhënë shpresë familjarëve se vendimi për ta mund të ndryshohet në të ardhmen. “Ata i ka dënuar njeriu, jo zoti”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se ai është pro protestës së tyre dhe përkrah kërkesat e familjarëve të të arrestuarve.
“Unë jam pro protestës suaj, por ne s’kemi mundësi sot me i kthye në Kosovë”, u shpreh Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Qeverisë ka bashkëbiseduar me protestuesit dhe ua ka shpjeguar atyre qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për procesin gjyqësor kundër Grupit të Kumanovës.
Ai tha se do të kërkojnë hetim ndërkombëtar për dënimet e rënda që iu shqiptuan dje 40 shqiptarëve, shumica nga ta shtetas nga Kosova.
Ai iu ka kërkuar familjarëve që të çojnë në zyrën e tij një përfaqësues, për të diskutuar për këtë çështje.
“Unë kisha sugjeruar që deri të hënën, të takohemi me përfaqësuesit e familjarëve të të burgosurve… Unë kërkesën e juaj do t’ia dorëzoj edhe bashkësisë ndërkombëtare”.
Shefi i Qeverisë tha se shteti Kosovës nuk ka deri më tash ndonjë informatë nga Agjencia e Kosovare e Inteligjencës (AKI) që do të ndihmonte zbardhjen e rastit.