Haradinaj takon Task Forcën për pastrimin e Kosovës, thotë se aksioni do ta bëjë ndryshimin

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 14:22 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Task Forcës për pastrimin e ambientit në Kosovë, e cila do të merret me organizimin e fushatës dhe aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori 2018 deri më 15 dhjetor 2018.

Kreu i Qeverisë tha se po bëhen përgatitjet e duhura për të pasur një Kosovë më të pastër.

Haradinaj beson se ky aksion tre mujor do të bëjë ndikojë në ndryshimin e gjendjes së ambientit në Kosovë.

“Të gjithë bashkë jemi duke bërë përgatitjet që më 15 shtator deri me 15 dhjetor të bëhet me sukses. Jam bukur optimist që ky aksion do ta bëjë diferencën për këta tre muaj do ta pastrojmë Kosovën. Dje e kemi pas teme të rendit të ditës në qeveri. Do të përfshijë qindra mijëra njerëz në këtë aksion”, tha ai.

Ish- ministrja e Ambientit, tani këshilltare e kryeministrit, Albena Reshitaj tha se janë ndarë përgjegjësit dhe presin një punë me rezultate.

“Jam e lumtur që jam pjesë e inicimit të kësaj kampanje. Është hera e parë që në histori të Kosovës të gjithë akteret janë bashkë që ta bëjmë një plan për pastrimin e hapësirave. I kemi ndarë përgjegjësitë në ministritë e linjës dhe po përgatitemi në hapjen e kësaj kampanje. Janë edhe projektet ndërkufitare dhe historitë e shteteve fqinje janë pjesë e kësaj kampanje. Është një projekt i jashtëzakonshëm. Jam i lumtur që jemi në fazën e fundit të krijimit të ushtrisë së gjelbër”, deklaroi Reshitaj.

U.d i ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi tha se qëllimi është i përbashkët për një Kosovë të pastër.

“Kemi një plan te veprimit po punojmë dhe qëllimi është një që ndotësit e ambientit të ndëshkohet”.

Ndërsa drejtori i “Let’s do it Kosova”, Luan Hasanaj bëri të ditur se Kosova është  i vetmi vend në rajon që të gjithë akterët janë bërë bashkë për këtë qëllim”.

Në mbledhjen e mbajtur dje të qeverisë, kabineti qeveritar ka shqyrtuar Planin e aktiviteteve dhe buxhetin e realizimit të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”. Për qëllim të realizimit dhe mbarëvajtjes së këtij aksioni, Qeveria do të ndajë një buxhet prej 815,035 eurove.

 

Të ngjashme