Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Kryeministrit Albin Kurti që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.
Haradinaj po ashtu i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK-së, për tejkalimin e situatës së krijuar.
Ish-kryeministri në një postim në Facebookun e tij, ka një thirrje edhe për presidenten Vjosa Osmani.
“I kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar”.
Në vazhdim, Haradinaj ka ftuar të gjithë qytetarët serbë që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe “të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd”.
“Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve”, përfundon reagimi i Haradinajt.