Kryeministri, Ramush Haradinaj, pas akuzave që iu bënë Qeverisë që ai drejton për ndarjen e 500 mijë eurove për festimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka sqaruar para deputetëve ndarjen e këtyre mjeteve.
Ai shtoi se nga 500 mijë eurot e ndara për festimin e Pavarësisë, janë shpenzuar 175 dhe të tjerat do t’i kthehen buxhetit.
“E para është diskutimet që kanë ndodhë në publik për festimin e Pavarësisë. Paratë janë nda se është propozuar në Qeveri nga ministria e Jashtme”.
“Paratë janë dedikuar për MKRS-në. Aktivitetet i ka bë protokolli i shtetit. Kostoja e shpenzimeve është rreth 175 mijë euro. Pra janë nda më shumë dhe të gjitha të tjerat do të kthehen në buxhet”.
“Shpenzimet e paparapara në Kosovë ekziston një praktikë ku në 2016 kanë qenë shpenzime më shumë se 8 milionë. Viti 2016 nuk ka pasë zgjedhje”.
“…është praktikë e qeverive paraprake, edhe Qeveria Haradinaj të njëjtën praktikë ndjekë. Disa prej vendimeve nuk bëjnë përjashtim. Nuk është rregull i vendosur nga Qeveria Haradinaj”.
Kuvendi i Kosovës po mbanë seancë të jashtëzakonshme dhe pikë e vetme e rendit të ditës është debati lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
Kjo seancë ishte paraparë të mbahej javën e kaluar, por u shty për shkak të Epopesë së UÇK-së.