Kandidati i vetëm për të parin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në fjalën hyrëse të kuvendit të kësaj partie ka folur për të arriturat që sipas tij, Kosova i ka bërë në qeverisje të tij, por edhe për qëllimet në të ardhmen.
Haradinaj tha se ishin ata që patën qëllim lirinë, pavarësinë e ushtrinë, qëllime këto që sipas tij, i zbatuan e arritën, teksa tregoi edhe për qëllimet e së ardhmes.
“Jemi ne ata që i përjetuam këto qëllime, jemi ne ata që i zbatuam dhe i arritëm. Ne kemi edhe qëllime të tjera, kemi qëllim rritjen ekonomike, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke. Qëllim e kemi anëtarësimin në NATO, në OKB e BE-në, e që do t’i realizojmë këto qëllime”, është shprehur Haradinaj.
Ish-kryeministri i vendit tha se në Kosovë u mbajtën shumë zgjedhje e u ndërruan shumë qeveri, por sot Kosova sipas tij, nuk është mirë, ashtu siç nuk janë mirë as qytetarët, sipas Haradinajt.
Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Kurti, Haradinaj e cilësoi si udhëheqje nga politikanë të pangopur për protagonizëm e në populizëm.
“Janë mosbesues deri në fund, janë frikësuar nga çdo gjë e janë në paranojë e izolim. Kosova sot është e trembur dhe reaguese sepse edhe ata që duhet ta ndërrojnë këtë gjendje janë shumica oportunistë. Jetojnë në ujëra të qeta edhe kur Kosova është në stuhi. Janë përfitues rasti, shikojnë privilegjet e të tillë ka shumë, si në nivelin qendror e edhe në atë lokal”, është shprehur Haradinaj, njofton Klankosova.tv.
Ai në fjalën e tij pyeti se kush tjetër përveç AAK-së mund ta bëjë Kosovën strategjike, jo reaguese, aleate e jo problem në siguri, në rend e ligj, ekonomi e vlera të demokracisë.
“Do ta bëjmë këtë me secilin qytetar të vetëdijshëm, në aleancë të plotë me aleatët tanë të prirë nga ShBA-të. AAK-ja sot konfirmon se është aleat i qytetarit të Kosovës, i aleatëve të Kosovës për ta bërë Kosovën strategjike. Por, për ta bërë Kosovën strategjike do të udhëhiqemi në parimin me besim në Zot, atdhe e shtet. Do të udhëhiqemi pa populizëm, pa protagonizëm dhe pa komoditetin e personit”, është shprehur në fund Haradinaj.
Kujtojmë se pas fjalës së Haradinajt, procesi i brendshëm zgjedhor do të vazhdojë pa praninë e mediave.