Delegacioni më i madh gjerman që deri tani ka vizituar vendin, sot dha konfirmimin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Gjermanisë.
Kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka pritur anëtarët e Parlamentit nga CSU të Landit të Bavarisë i kryesuar nga Thomas Kreutzer.
Haradinaj thotë se me Kreutzer kanë diskutuar për mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane.
“Shpalosa para delegacionit gjerman planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte dhe shpreha gatishmërinë tonë që në këtë drejtim të krijojmë partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve.
“E falënderova delegacionin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, konfirmimin për këtë proces nga Ministri i Brendshëm Seehofer, i cili vie po nga Bavaria, duke u zotuar se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, do t’i shërbej frymës së këtij bashkëpunimi ekonomik dhe fuqizimit të partneritetit Kosovë – Gjermani”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.