Haradinaj: UÇPMB-ja është dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve për liri

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 26-vjetorin e nisjes së përpjekjes për liri të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), duke e cilësuar atë si dëshmi të vendosmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur vendin dhe qenësinë e tyre.

“UÇPMB-ja, që para 26 vjetësh nisi përpjekjen për liri, është dëshmi e pathyeshmërisë së shqiptarëve për të mbrojtur vendin dhe qenësinë e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se në këtë datë të shënuar i është bashkuar komandantit Shefket Musliu në “Kullën e Bashkimit”, së bashku me shumë bashkëluftëtarë, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje si nder të veçantë.

“Nder i veçantë që, në këtë datë të shënuar, iu bashkova komandant Shefket Musliut në ‘Kullën e Bashkimit’, në mesin e shumë bashkëluftëtarëve”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka bërë të ditur se në këtë ngjarje ka qenë i pranishëm edhe gjenerali Lahi Brahimaj, i cili në këtë ditë shënon ditëlindjen.

“Në këtë ngjarje na nderoi me prezencë edhe Gjeneral Lahi Brahimaj, i cili sot shënon ditëlindjen”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar përkushtimin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke vënë në pah se ideali për liri dhe të drejta vazhdon të mbahet gjallë.

“Shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë vazhdojnë të mbajnë gjallë idealin dhe përkushtimin për të drejtat e tyre, në tokën e stërgjyshërve. Jemi bashkë në betimin për të mbrojtur të drejtat e tyre të patjetërsueshme”, ka shtuar Haradinaj.

Të ngjashme