Haradinaj viziton një fermer në Malishevë: Qeveria t’u dalë në ndihmë bizneseve të dëmtuara nga pandemia

Prishtinë | 20 Maj 2020 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot fermën “Agro Shqiponja” në fshatin Tërpezë të Malishevës me pronarë Shefqet e Zymrije Krasniqin, të cilët merren me kultivimin dhe grumbullimin e bimëve mjekuese aromatike dhe frutave të malit. Kompania furnizon mbi 100 fermerë me fidane të ndryshme.

Haradinaj, ka thënë se dy pronarët e kësaj kompanie janë shembull se si zhvillohet një biznes nga zeroja deri në pikën kur punëson edhe punëtorë të tjerë përveç vetëpunësimit, përderisa ka shprehur shqetësimin se biznesi i tyre ka hasur në pengesa gjatë izolimit si pasojë e pandemisë. Ai ka thënë se qeveria duhet të gjej mënyra për t’i përkrahur bizneset e dëmtuara nga kjo periudhë.


“Me masat gjatë pandemisë, edhe veprimtaria e tyre ka hasur në vështirësi, duke pamundësuar shtimin e punëtorëve gjatë fazës së mbjelljes. Kërkesa në rritje për esencat e bimëve mjekësore e aromatike, e bën përpunimin e tyre investim fitimprurës dhe një mundësi të madhe për eksport. Ekonomia e vendit është çelës i jetës sonë, andaj Qeveria e vendit duhet të gjej mënyra për t’i përkrahur ata që krijojnë vende të punës për vete dhe të tjerët”, ka shkruar në Facebook Haradinaj.

Haradinaj është paraqitur edhe në një prononcim për mediet, bashkë me njërin prej pronarëve, Shefqet Krasniqin.

”Jemi në familjen e Shefqet dhe Zymrije Krasniqi të cilët e kanë një kompani për përpunimin e frutave të malit dhe pemëve të egra, e edhe perimeve. Kanë filluar prej zeros. Shihet ku janë sot. I përgëzoj për punën e mirë që e kanë ba. Edhe unë mësova ma shumë për këtë veprimtari, për të arriturat por edhe sfidat që kanë. Më vjen mirë që edhe USAID-i amerikan i ka përkrahë në momente të caktuara”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, ai ka theksuar se dy pronarët kanë edhe projekte të reja për zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë.

“Shefqeti dhe Zymrija kanë projekte edhe për të ardhmen se si me u rritë. Ju uroj suksese, ekonomia e vendit është çelësi i jetës tonë. Ata që krijojnë vende pune për vete, por edhe për të tjerë, si rasti i këtyre, që marrin punëtorë në forma të ndryshme, atëherë edhe qeveria e vendit duhet me gjetur mënyra me i përkrahë”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërkaq, pronari Shefqet Krasniqi ka falënderuar Haradinajn për vizitën dhe ka treguar detaje për bashkëpunimin e tij me fermerë të tjerë.

“Kryetar faleminderit që keni gjetë kohë të na vizitoni. Sot kompania jonë i ka mbi 100 fermerë me të cilët kemi bashkëpunim. Jam i lumtur që kemi arritë që prej një biznesi familjar, t’ju mundësojmë edhe të tjerëve të punojnë”, ka thënë ai.Krasniqi ka konfirmuar se pandemia ka dëmtuar edhe biznesin e tij. “Është e vërtetë që jemi të prekur. Komuna e Malishevës ka qenë më e kufizuar. S’kemi pas të drejtë lëvizjeje, por megjithatë kemi mundur t’i prodhojmë mbi gjysmë milioni fidanë dhe i kemi shpërndarë në komunat përreth”, ka thënë Krasniqi.

Të ngjashme