Haradinaj viziton një fermer në Vushtrri: Fuqizimi i sektorit të Bujqësisë si mundësi e punësimit intensiv

Prishtinë | 26 Gus 2024 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka potenciale të mëdha për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, por mungesa e vizionit dhe politikave shtetërore për zhvillimin e këtij sektori, e ka lënë në fundin e listës. 

Haradinaj ka thënë kështu gjatë vizitës që i ka bërë një fermeri në Navolan të Komunës së Vushtrrisë.

“Gëzim Hajdari, nga Novolani i Vushtrrisë, të cilin pata kënaqësinë ta vizitoj sot, është bërë një fermer i suksesshëm pa ndihmën e askujt. Ai sot në fermën e tij, ka dhjetëra krerë buallica, të cilat në territorin e Kosovës pothuajse janë në zhdukje. Përvec që rritjen e mbarështimin e tyre e ka shndërruar në një biznes të suksesshëm, me të cilin e siguron jetesën e Familjes së vet, ai e ruan edhe një trashëgimi nga stërgjyshërit. Gëzimi është shembull i një njeriu që nuk është dorëzuar para vështirësive, por ka mijëra të tjerë, të cilët në mungesë të një mbështetjeje nga Shteti, e kanë patur të pamundur që të merren me këtë veprimtari. Kosova, edhe pse vend i vogël ka potenciale të mëdha për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, por mungesa e vizionit dhe politikave shtetërore për zhvillimin e këtij sektori, e ka lënë në fundin e listës”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj është zotuar se do ta ndryshoj gjendjen në këtë fushë duke ndërmarrë një varg masazh. 

“Çdo sukses në këtë fushë, është krejtësisht individual. E për të ndryshuar kjo gjendje, duhet ndërmarrë një varg masash:

o   Rritja e subvencioneve financiare.

o   Sigurimi i formave shtesë të financimit (kredi të buta, etj.).

o   Zhvillimi i skemës së subvencionit të prodhimit sekondar që do të rriste përdorimin e produkteve vendore bujqësore në fabrikat e përpunimit të ushqimit.

o   Angazhim në eliminimin e të gjitha barrierave jotarifore që vendosen nga vendet rajonale karshi prodhimeve tona ushqimore.

o   Subvencionim i kostos së garancive bankare për sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit.

o   Investim në përmirësimin dhe standardizimin e cilësisë së produkteve ushqimore.

o   Angazhim për orientimin drejt rritjes së kapaciteteve kadrovike në sektorin e prodhimit të ushqimit 

o   Fuqizimi i sektorit të Bujqësisë si mundësi e punësimit intensiv, e kështu me radhë”, është shprehur Haradinaj.

Sipas tij, kjo bëhet e zbatueshme me programin që ka AAK me parnerët e saj. 

“E gjithë kjo mund të bëhet e zbatueshme me vizionin, programin por edhe vendosmërinë që e ka Aleanca me partnerë”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme