Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, sot gjatë ditës ka vizituar vendet e prekura nga tërmeti i fuqishëm që e goditi Shqipërinë të martën.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se atë që po e bënë Kosova dhe populli i saj është njerëzore.
“Sonte, në Thumanë, në vendin e dhimbjes për çdo shqiptarë që humbi më të dashurit e tyre nga tërmeti me pasoja tragjike, për t’u shprehur solidarë por edhe për t’ua zgjatur dorën bashkëkombësve tanë”, ka shkruar Haradinaj.
“Ajo që po e bën Kosova, populli i saj, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë”.
“Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri tjetrin, në çdo kohë”, ka theksuar Haradinaj.
Haradinaj gjatë kësaj vizite në terren ka qenë i shoqëruar nga presidenti Ilir Meta. Ndërsa nuk është pritur fare, së paku deri më tani, nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
Këta të dy dihet se kanë pasur publikisht mospajtime të thella për çështje si shkëmbimi i territoreve, taksa e vendosur për prodhimet serbe, mini-shengeni etj.
Dy ditë më herët, Rama ka shoqëruar në një vizitë të ngjashme në terren presidentin Hashim Thaçi, sikurse dhe ministrin e Jashtëm Pacolli.
Me Haradinajn kanë qenë dhe zv.kryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, ministri i kabinetit të tij, Pal Lekaj; dhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani.