Kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një videoje ka lëshuar një deklaratë lidhje me kërkesën e presidentit serb ndaj ushtrisë së Kosovës.
Haradinaj theksoi se Ushtria e Kosovës është multietnike, e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e krijuar me standarde të NATO-s dhe si e tillë, ushtria e Kosovës i shërben popullit të Kosovës për t/i mbrojtur të gjithë dhe po ashtu mbron paqen së bashku me NATO-n.
“Kërkesa e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për çarmatosjen e Ushtrisë së Kosovës është e drejtuar gabimisht. Ushtria jonë nuk është ushtri e Rusisë, është ushtri e NATO-s dhe e paqes”, potencoi Haradinaj.
Haradinaj tha tutje se përpara se të kërkohet çarmatosja e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiq do të bënte mirë ta reformojë ushtrinë e vet, që është mbetje e ushtrisë që ka kry gjenocid në Ballkan e njëkohësisht ende sot e kësaj dite, i nënshtrohet Rusisë.“Si president i vendit, nesër do ta ndjej detyrim ta forcoj ushtrinë tonë, një ushtri që është mbrojtse, një ushtri që nuk ka për qëllim agresionin dhe që nuk rrezikon askënd dhe nëse Vuçiq ndihet i rrezikuar, në vend që të kërkojë çarmatosjen e ushtrisë sonë, bën mirë ta njeh Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran, ta respektojë dhe të jetojmë në paqe”, përfundoi kandidati për president të vendit.