James Harden e regjistroi triple-doublein e dytë rresht dhe realizoi një trepikësh nga largësia një sekondë para se të përfundonin vazhdimet, për t’i dhënë fitoren Houstonit ndaj kampionit në fuqi, Golden State Warriors, në Oakland, 135:134.
Stephen Curry e kaloi në avantazh fillimisht Golden Statein, me pikët e shënuara 23.1 sekonda para fundit, edhe pse në një moment të diskutueshëm, para se Harden të shënonte në aksionin vijues dhe t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Ai e mbylli takimin me plot 44 pikë, 10 kërcime e 15 asistime.
Për “Raketat”, kjo ishte fitorja e gjashtë e njëpasnjëshme. Curry ishte më i miri te skuadra e “Luftëtarëve” me 35 pikë, por ekipi i tij u mposht për herë të tretë rresht në shtëpi.