Harley-Davidson planifikon të zhvendosë një pjesë të prodhimit të motorëve jashtë Shteteve të Bashkuara, për të shmangur, siç tha, barrën e tarifave të Bashkimit Evropian.
Javën e kaluar, BE-ja vuri taksa hakmarrëse mbi prodhimet amerikane, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vënë tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut nga Evropa dhe vende të tjera aleate.
Fabrika e motorëve, Harley-Davidson, me seli në shtetin Uiskonsin, ka degë në Australi, Brazil, Indi dhe Tajlandë.
Kompania tha se do të rrisë investimet në fabrikat e saj ndërkombëtare, por nuk tregoi se në cilat.
“Për të adresuar koston e madhe të tarifave të BE-së, Harley-Davidson do të zhvendosë prodhimin e motoçikletave”, tha kompania.
Sipas Harley-Davidsonit, tarifat kanë shtuar mesatarisht 2,200 dollarë për çdo motor të eksportuar nga SHBA-ja në BE.