Presidenti turk iu rikthye gjenocidit të 21 viteve më parë për të denigruar Holandën, por ky është një rast që të flasim për anët e errëta të asaj masakre.
Pas akuzave se po simpatizonte ideologji naziste, Erdogani u përgjigj me kundërakuza, duke thënë se holandezët bashkëpunuan për gjenocidin e enklavës boshnjake, një masakër që mori jetën e 80,000 myslimanëve.
Debati është një instrumentalizim i pakëndshëm, i diktuar nga nevoja e “sulltanit” për të fuqizuar mirëkuptimin e brendshëm në vendin e tij. Por, në të njëjtën kohë, ai nxjerr nga arkivat e kujtesës disa të vërteta që kanë qenë mbyllura me shumë kyçe, pikërisht sepse sa më të tmerrshme të jenë, aq më të parehatshme bëhen.
Dhe kjo vlen për të gjithë: duke nisur që nga Erdogani, që ka refuzuar të njohë gjenocidin turk në Armeni, gjë që do ta kishte thjeshtuar procesin e Turqisë për në BE, si dhe do ta hiqte si argument që instrumentalizohet lehtë kundër tij.
Prandaj, lind pyetja se me ç’të drejtë morale bëhen këto predikime. Por, falë Erdoganit, le të mos e humbim mundësinë që të flasim për Srebrenicën.
21 vite më vonë, kjo masakër vazhdon të ketë edhe sot anë të errëta. Vetëm dy persona u shpallën fajtorë dhe morën dënim: serbo-boshnjakët Radko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç. Është e vërtetë që një gjykatë holandeze dënoi shtetin e Holandës me detyrimin për të kompensuar familjet boshnjake. Po ashtu është e vërtetë (dhe ky është ndryshimi me Turqinë) që opinioni publik holandez dhe qeveria shprehën se u vinte turp nga ajo ngjarje, ndaj dënuan sjelljen e ushtarëve dhe batalionin e Kaskave Blu që ktheu kokën në anën tjetër, në pritje të urdhrave që nuk mbërritën kurrë.
Megjithatë, askush nuk ka kërkuar më përgjegjësi te aktorë të tjerë, jo vetëm holandezë, (por as nga komanda franceze e Kaskave Blu, as nga qeveria e Beogradit, as nga qeveria myslimane-boshnjake e Sarajevës). Me pak fjalë, politika dhe diplomacia ka dhënë atë kontekstin cinik (si Uashingtoni, Parisi e deri Londra), që e masakra e Srebrenicës ishte një sakrificë e nevojshme për ndarjen territoriale dhe për marrëveshjet e tjera të Dejtonit. Janë sakrifikuar edhe luftëtarë të huaj islamikë, por për ata nuk ka qarë njeri.