Harta e dhimbjes

| 26 Pri 2023 | 19:23 | Nga

(Nga Shkelzen Halimi)

në udhëtimin tonë të humbur
të falim edhe pak dashuri
sa për ta mbuluar urrejtjen
që na ndjek me sy të përgjakur

ta kapërcejmë
lumin e shterur
dhe t’i ndihmojmë Sizifit
ta çojë gurin
deri në majë

nëse e ndiejmë lodhjen
ta shuajmë etjen me ujin kujtim

nëse na zbulohet harta e dhimbjes
t’i këndojmë zemrës
ndonjë serenatë Korçe
dhe ndonjë jare Shkodre
të mbajmë iso rrugës për në Janinë
në Kaçanikun shkëmb e gur
të rënët t’i mbulojmë
me flamur

ta shtrijmë hartën e dhembjes
e ta gjejmë plagën e fshehur
nën hijen e harresës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme