Let’s Do It Kosova ka pastruar stacionin e autobusëve të Prishtinës, prapa stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se për gjatë kësaj kohe është arritur të ngritët vetëdija qytetare për një ambient të pastër.
“Kemi pasë aksione të përditshme për 3 muaj ku kemi arrit të tregojmë vullnetin që të jetojmë në një vend të pastër, kemi ngrit vetëdijen dhe ndërgjegjen institucionale për çështjen me menaxhim të mbeturinave”, tha ai.
Matoshi njoftoi për hapat që ka marrë ministria që ai drejton në shërbim të një vendi më të pastër.
“Nga viti i kaluar kemi lansuar një grant prej 7 milionë eurosh për komunat e suksesshme në menaxhimin e mbeturinave dhe kemi marr grant nga Japonia për pajisje për menaxhim të mbeturinave në vlerë 2 milionë euro, po vazhdojmë të mbështesim komunat me pajisje të nevojshme”, shtoi Matoshi.
Ai tha se ka pasur edhe gjoba për qytetarët të cilët kanë hedhur mbeturina dhe kanë krijuar deponi ilegale.
“Janë dënuar mbi 2500 njerëz në Kosovë, nuk është lajm i mirë gjobitja e qytetarëve, por do të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për një ambient të pastër”, tha Matoshi.
Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, tha se Kosova sot është qendër e botës për raportimin e aktiviteteve sa i përket aksionit të pastrimit ne mbarë botën.
“Jemi sot në ditën e pastrimit të botës dhe është ndër lajmet më të mira që Kosova të udhëheqë një lëvizje globale ku bëjnë pjesë 157 shtete, Kosova është qendër e raportimeve për aksionin e pastrimit”, tha Hasanaj.
“Jemi në qendër të Prishtinës, një lokacion i mbushur me mbeturina, jemi lodh duke fajësuar qytetarët e institucionet dhe duke mos ndërmarrë veprime, kjo deponi që po pastrohet është krijuar nga një komunitet i taksistëve që po ofrojnë shërbime të bartjes së mbeturinave në Prishtinë dhe komuna tjera dhe është e patolerueshme që institucionet nuk po ndalojnë këta njerëz”, tha ai, raporton EO.
Hasanaj bëri apel që qytetarët dhe institucionet të punojnë për një ambient të gjelbër.
“Bëj apel gjitha institucionet që të përdorin ndikimin e tyre dhe personat që po krijojnë këto deponi ilegale të ndalohen”, shtoi Hasanaj.
Drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha, tha se qytetarët duhet të vetëdijesohen se mbeturinat pos që janë të këqija në pamje ato ndikojnë negativisht edhe në shëndetin e njerëzor.
“Që nga prilli jemi duke u marr me largimin e deponive ilegale, disa nga to i kemi shndërruar në hapësira të gjelbërta, pavarësisht punës se institucioneve, por të vetëdijesohemi si qytetar qe mbeturinat nuk janë të këqija vetëm si pamje por edhe dëmton edhe shëndetin tonë”, tha Braha.