Zyrtarët më të lartë të sistemit prokurorial janë përfshirë në një kallëzim penal të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Rreth një vit pasi gjykata e ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për falsifikim dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me të cilat e ngarkonte prokurori i Shtetit, Hasani ka vendosur që përmes një kallëzimi penal institucioni që e ka ndjekur t’i hetojë krerët e Prokurorisë së Shtetit e përfaqësues të tjerë të Prokurorisë për, siç thotë ai, ndjekje të pabazuar e të inskenuar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Hasani të martën e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kallëzimin penal kundër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, zëvendëskryeprokurores së Shtetit, Sevdije Morina, dhe prokurores së Prokurorisë Speciale, Drita Peci-Hajdari.
Hasani përmes kallëzimit penal pretendon se proceset hetimore ndaj tij viteve të fundit kanë qenë hakmarrje e kryeprokurorit Lumezi për “vështirësitë” e tij për të udhëhequr një nga institucionet me të rëndësishme të drejtësisë, siç është Prokuroria e Shtetit.