Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani, dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në mes te Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve-KIESA të Kosovës dhe Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve- AIDA.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është mbështetja dhe zhvillimi i investimeve dhe bashkëpunimit tregtar.
Ministri Hasani me këtë rast ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të këtyre dy agjencive, respektivisht rëndësinë që ka ky bashkëpunim për zhvillimin ekonomik të gjithëmbarshëm të të dyja vendeve.
“Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e ndërmarrjeve-KIESA dhe Agjencia e Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve- AIDA kanë pasur bashkëpunim edhe deri më tani, mirëpo, tani është e nevojshme që ky bashkëpunim të thellohet dhe intensifikohet edhe më shumë. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit në mes të dyja agjencive tona respektive, për investime”, ka thënë ministri Hasani.
Ai ka theksuar se kompani të ndryshme nga Shqipëria kanë investuar në Kosovë, përgjatë këtyre viteve, sikundër që edhe kompani nga Kosova kanë realizuar investime në Shqipëri.
“Vlera e investimeve nga Shqipëria në Kosovë për gjatë periudhës 2007 deri gusht 2017, ka arritur vlerën prej: 204.9 mil €uro. Investimet nga Shqipëria kanë shënuar rritje në vazhdimësi. Vlera më e lartë e investimeve është shënuar në vitin 2015, gjithsej: 40.1 mil€uro. Ndërkaq, në vitin 2017 deri në muajin gusht vlera e investimeve nga Shqipëria është: 11.8mil€uro”, ka bërë me dije Hasani.
Gjithashtu ministri Hadani ka treguar se prej vitit 2007 deri më tani në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës janë regjistruar gjithsej: 986 biznese me pronarë nga Republika e Shqipërisë. “Ndërsa, nga fillimi i këtij viti deri në muajin nëntor janë regjistruar gjithsej:128 biznese. Kompanitë e regjistruara ju përkasin sektorëve të ndryshëm, si: prodhim, ndërtimtari,tregti, transport, shërbime financiare, hotelieri dhe turizëm, edukim,shëndetësi,etj.”, ka theksuar ai.
Ai është shprehur se kjo marrëveshje do të lehtësoj por edhe do të kontribuojë në një mase të madhe që kombizneset e te dyjave vendeve të shfrytësojnë agjenicitë përkatëse si një urë lidhëse për zhvillimin e më tutjeshëm të projekteve të përbashkëta dhe për rrjedhojë rritjen e bashkëpunimit tregtar në mes të të dyjave vendeve.
“Po ashtu, do të arrihet rritja e efikasitetit dhe ngritja e performancës si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira”, është shprehur ministri Hasani.
Ai ka shfaqur mbështetjen e tij të pakursyer, në funksion të thellimit të mëtejmë bashkëpunmimt në fushën e promovimit dhe nxitjes së investimeve në mes të dyja vendeve tona.