Hasani: Ekspozita ka prezantuar propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën në burgun e Dubravës

Prishtinë | 02 Pri 2026 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i vetmi që qëndroi në sallë në seancën plenare, pasi partia e tij lëshoi sallën për shkak që në rend ditë si pikë e parë nuk u fut draft-rezoluta e tyre për mbrojtjen e së vërtetës dhe të viktimave të luftës, raporton Ekonomia Online.

Hasani, u deklarua për ekspozitën në sheshet e Prishtinës, e cila shfaqi pasaktësi në masakrat e Kosovës.

Ndërsa, fillimisht foli si dëshmitar i masakrës në Burgun e Dubravës.

“Sot nuk po flas vetëm si deputet, sot po flas si dëshmitar i masakrës në burgun e Dubravës. Si njeri prej atyre që kanë qenë brenda burgut të Dubravës dhe në burgjet e Serbisë. Si njeri që e kam parë me sytë e mi çfarë ka bërë shteti serb mbi trupat dhe jetët tona aty brenda burgut ndaj të burgosurve. Dhe pikërisht për këtë, sot jam këtu për të thënë një të vërtetë të rëndë. Ajo që është prezantuar në këtë ekspozitë me datën 24 mars 2026 nuk është vetëm gabim, është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-së të asaj kohe. Kjo është fyerje për viktimat, është fyerje për të burgosurit, për të mbijetuarit. Është fyerje për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës. Sepse, kur në libër, në ekspozitë të financuar nga institucionet shtetërore dhe “Para e Publikut”, për masakrën e burgut të Dubravës ka pasur kryengritje, janë vrarë 48 ushtarë të burgosur dhe të armatosur dhe 58 civilë, ai nuk ka treguar të vërtetën”, tha ai.

Sipas Hasanit, ekspozita ka prezantuar propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën në burgun e Dubravës

“Ai ka prezantuar sot, pas 27 viteve, masakrën e burgut të Dubravës në sheshin e Prishtinës, propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën në burgun e Dubravës. Në shtator të vitit 2024, në shtëpinë e mediave në Prishtinë, në aktivitetin e organizuar nga BIRN Kosova dhe “Jeta në Kosovë”, në debat publik ka qenë prezent botë-reporteri serb Boran Tomosheviç, ish-oficer rezervë. Eshtë thënë se policia serbe, respektivisht zyra e informacionit, ka njoftuar qendrën e mediave se në burgun e Dubravës ka pasur rebelim të të burgosurve shqiptarë dhe se gardianët janë detyruar të ndërhyjnë për të asgjësuar rebelimin e të burgosurve të armatosur shqiptarë. Dhe këtë sipas botë-reporterit, ai e ka prezantuar në të gjitha mediat e botës si “kryengritje e të burgosurve të armatosur” në burgun e Dubravës.

Kjo deklaratë reflekton pohimet e rreme të botë-reporterit serb. Unë, Enver Dugolli dhe Saipik Sylejmani kemi kundërshtuar për prezantimin e të pavërtetave mbi masakrën në burgun e Dubravës. Ai më pas kërkoi falje, por kjo është e pamjaftueshme, sepse dëmi politik është bërë me prezantimin e versionit të UDB-së. Sepse po të kishte pasur qëllim të prezantontë të vërtetën për masakrën në burgun e Dubravës, ka pasur mundësi të shkojë atje dhe të shohë obeliskun me emrat e mbiemrat e të vrarëve, të burgosurve të burgosur që ishin aty në atë kohë. Ose ka mundësi të shkojë te shoqatat e të burgosurve, të marrë shënime mbi burgun e Dubravës, apo në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ose cilindo mbi 700 të burgosur ka mund t’i intervistojë.

Por ai nuk e ka bërë, nuk ka pasur qëllim të prezantojë të vërtetën në ekspozitë, por versionin e UDB-së ka prezantuar gjë që është e tmerrshme. Ndërsa liria e shprehjes dhe veprimit nuk e përfshin të drejtën për të falsifikuar krimet serbe dhe me i fajësu viktimat. Dhe kjo ekspozitë, e “Integros” dhe autorëve, është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe për krimet serbe të bëra në Kosovë”, ka shtuar deputeti.

Ai, ka thënë se ëpr dëmin që është shkaktuar me këtë ekspozitë kërkojën llogaridhënie.

“Dhe kërkojmë llogaridhënie për dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës. Dhe më keq, këtë version të UDB-së e mbështeti Fondi për të Drejtat Humanitare të Natasha Kandiqit, e cila tentoi dhe mbrojti një version të tillë. Natasha thotë se në Serbi nuk është thënë që të vrarët në burgun e Dubravës ishin të armatosur.

Unë kam qenë i burgosur aty, ne kemi qenë 960 të burgosur, dhe në burg nuk ka pasur ushtarë, nuk ka pasur beteja, nuk ka pasur kryengritje. Aty ka pasur vetëm të burgosur shqiptarë dhe u bë një masakër e thjeshtë“, shtoi ai.

Të ngjashme