Hasani falënderon Turqinë për angazhimin në njohjen e Kosovës

Prishtinë | 29 Jan 2024 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur në takim homologun nga Turqia, Hakan Fidan në vizitën e tij të parë si ministër i Jashtëm në Shqipëri.

Pas takimit në një konferencë të përbashkët për media, Hasani ka falënderuar Turqinë për angazhimin e saj në njohjet për Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.

“Dua të falënderojë Turqinë për angazhimin e saj në njohjen e Kosovës dhe në anëtarësimin e saj në organizata rajonale e globale”, tha Hasani.

Në këtë konferencë dy ministrat folën edhe për raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Turiqisë, të cilat i vlerësuan si shumë të mira.

“Turqia mike na është gjendur gjithmonë pranë në ditët tona më të vështira. Aktualisht marrëdhëniet mes vendeve tona në çdo fushë janë të shkëlqyera dhe kanë njohur vetëm rritje. Sot ne zhvilluam takimin e dytë të grupit për dialog politik. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Intensifikimi i dialogut politik mes nesh është shoqëruar me rritje kuptimplotë të bashkëpunimit dypalësh”, tha Hasani.

Ndërsa, edhe ministri turk, Hakan Fidan, vlerësoi raportet me Shqipërinë, duke thënë se synojnë që gjatë këtij viti të zhvillojnë Këshillin e parë të Partneritetit Strategjik.

“Marrëdhëniet mes 2 vendeve janë të bashkuara tek besimi që kemi tek njëri-tjetri. Për ta çuar më tutje, ne kemi krijuar disa mekanizma të caktuara dhe qëllimi ynë është që brenda 2024 të zhvillojmë Këshillin e parë të Partneritetit Strategjik. Kjo do të jetë një platformë e rëndësishme për ne, shpresojmë që vëllimi i tregtisë midis 2 vendeve të arrijë deri në 2 miliardë Dollarë dhe do të bëjmë ç’të jetë e mundur për këtë. Mbrëmë patëm një takim me biznesmentët turq dhe diskutuam me ata për mundësitë e investimit që ata kanë në Shqipëri. Bashkëpunimi që kemi nuk është aq sa kapaciteti, duhet ta zhvillojmë dhe më shumë. Kemi mundësi të bashkëpunojmë dhe më shumë”, tha Fidan.

Ministri i Jashtëm turk do të zhvillojë vizitë zyrtare edhe në Bullgari e Rumani.

Të ngjashme