Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, e ka pritur të hënën homologun e Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.
Në një konferencë për media që ata kanë mbajtur sot Hasani ka bërë të ditur se kanë diskutuar për Kosovën, sigurinë rajonale dhe Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se ka kërkuar një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale apo edhe nismat që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
“Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ndajnë një qasje të njëjtë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe në këtë kuadër i shpreha mikut tonë boshnjak kërkesën për një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale apo edhe nismat që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dy vende fqinje, por edhe si realitete gjeopolitike të shekullit të ri në funksion të paqes dhe stabilitetit në hapësirën tonë të përbashkët”, ka thënë Hasani.
“Kosova lypset të këqyret nga një pikë bashkëkohore, realiste dhe pragmatike. Prekëm edhe çështjet e sigurisë në rajon e më gjerë. Pata rastin t’i përsëris kolegut dhe mikut tim boshnjak mbështetjen e plotë për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës,” u shpreh ministri Hasani në konferencën e përbashkët për shtyp”.